Përfaqësues biznesesh, banorët dhe deputetë të opozitës janë mbledhur sot para bashkisë së Divjakës për të kundërshtuar vendosjen e traut në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta.
Banorët thonë se vendosja e tarifës i pengon ata të dalin shëtitje në ajër të pastër dhe sipas tyre, ky veprim është i padrejtë dhe bie ndesh me interesin publik. Mes protestuesve kishte dhe socialistë, të cilët shprehen të pakënaqur për veprimet e qeverisë Rama dhe PS.
“Jam i majtë. Kam lënë kurbetin dhe erdha këtu investova dhe humba. Ka shumë korrupsion. Kryeministri Edi Rama dhe PS ta harrojnë votën. Kjo nuk na lejon ne të bëjmë një shëtitje në ajër të pastër”, tha njëri prej tyre.
Ministria e Turizmit tha dje se tarifa do të aplikohet vetëm për turistët dhe nuk do t’i prekë banorët e zonës. Sipas saj, shifra është 50 lekë të reja, një shifër simbolike që do përdoret për t’u kujdesur për mirëmbajtjen e parkut Divjakë-Karavasta.
Gjithsesi kjo qasje po kundërshtohet nga banorët, të cilët një ditë më parë u konfrontuan edhe me policinë në përpjekje për të larguar kabinën, e cila u vendos aty si vend ku do jepen kuponët për turistët.