Partia Demokratike do të zhvillojë “Primaret” për të nxjerrë kandidatët që do të kandidojnë në të gjitha bashkitë e vendit.
Teksa të dy grupimet brenda Partisë Demokratike po negociojnë për daljen me një kandidat të përbashkët, duket se Berisha me përkrahësit e tij janë të vendosur për zhvillimin e “Primareve”, ku pritet që të votojnë anëtarët dhe simpatizantët e kësaj force politike.
Tirana është edhe fushëbeteje kryesore që pritet të zhvillohet mes Ervion Veliajt si kandidat i PS-së dhe kandidatit të opozitës që do të dalë nga “Primaret”.
Burime nga selia blu bëjnë me dije për BW se do të jenë të paktën pesë kandidatë në Tiranë që do ti nënshtrohen vullnetit të anëtarësisë për të nxjerrë edhe më të votuarin për zgjedhjet e 14 majit.
Kandidati i parë që ka dalë tashmë edhe publikisht përmes intervistave televizive është anëtari i Këshillit Kombëtar, mjeku i njohur Ilir Alimehmeti.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e kandidimit duke u shprehur: “Nuk mund të konfirmoj diçka për të cilën ende nuk është hapur zyrtarisht aplikimi”.
Një tjetër emër i përfolur është edhe Belind Këlliçi, deputeti dhe ish-kryetari i forumit Rinor të PD-së, i cili ishte ndër të parët që u rreshtua në krah të Berishës një vit më pare, kur ky i fundit u përjashtua nga grupi parlamentar i PD-së.
“Nuk mund të ta jap këtë konfirmim aktualisht pasi jam në konsulta dhe biseda me të gjithë faktorët në parti”, tha Këlliçi më herët.
Nga ana tjetër, deputeti Agron Shehaj, megjithëse ishte përfolur së tëpërmi se mund të ishte pjesë e garë, ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e “Primareve”.
Gert Bogdani është një tjetër kandidat i mundshëm, që nuk e ka fshehur interesin për të garuar përballë Veliajt në Tiranë.
Edhe ish-deputeti i PD-së, Fatbardh Kadilli dhe aktori Julian Deda e kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e “Primareve” me shpresën që do të zgjidhen nga anëtarësia./BW