Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea është shprehur se Serbia nuk duhet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, derisa ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe të normalizojë raportet me të.
Në një intervistë për KlanKosova, Shea u shpreh se ai e ka shprehur hapur qëndrimin e tij dhe bëri thirrje që Serbia të mos jetë anëtare e BE deri në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe njohjen e saj.
”Pikëpamja ime dhe që e kam deklaruar shumë herë, është se Serbia nuk duhet të bëhet anëtare e BE-së, derisa të ketë njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës dhe të normalizojë marrëdhëniet e saj me të, përfshirë ndalimin e fushatës për ta mbajtur Kosovën jashtë organizatave ndërkombëtare”, u shpreh Shea.
Shea shtoi se gatishmëria për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe për të ndjekur marrëdhënie të mira me fqinjët në një frymë kompromisi dhe angazhimi konstruktiv është si një vlerë thelbësore e anëtarësimit në BE.
Ai shpjegoi se kjo do të thotë se Kosova duhet të demonstrojë të njëjtën qasje konstruktive, por negociatat duhet të bazohen në realitete dhe mohimi i Beogradit kur bëhet fjalë për trajtimin e Kosovës si një vend real dhe një shtet i pavarur nuk i ndihmon gjërat.