Kryetari i partisë së Lirisë ka zhvilluar një takim me strukturat e partisë në qytetin e Kuçovës. Meta tha se krahasuar me 10 vite më parë, situata sot ishte shumë më e keqe dhe kjo vihej re në kursimet e familjeve në fund të muajit dhe në largimet masive të qytetarëve jashtë vendit.
“Në qytetin e naftës, nafta është shumë më e shtrenjtë se në Ukrainë ku po luftohet. Ne jemi pilotë për atë që u është cënuar më shumë shqiptarëve nga ky sekt banditësh që ka zgjedhur varfërimin si mënyrën për t’i robëruar, për t’i zhveshur nga të drejtat e tyre. Çdo familje këtu dhe kudo, mund të bëjë llogaritë sesi ishte Kuçova para 10 vitesh dhe sesi është sot. Të bëjë llogari sesa lekë u mbeteshin në fund të muajit dhe sesa u mbeten sot. Të bëjë llogaritë sesa nxënës shkojnë në shkolla. Gjithçka po tretet, sepse ky është qëllimi i Rilindjes, shpopullimi dhe shkatërrimi i këtij vendi. Shkatërrimi i çdo ndjesie për të kërkuar të drejtën që kushtetuta u jep qytetarëve”, tha Meta.
Ai shtoi se e gjithë kjo ishte e planifikuar, në mënyrë që qytetarëve t’u bëhej jeta e padurueshme dhe të braktisnin Shqipërinë.
“Jo më kot janë shkurtuar në mënyrë drastike, gjykatat, prokuroritë, drejtoritë e ndryshme, përmes një plani të mirëmenduar, që të largohen intelektualët nga këto qytete, por jo vetëm kaq. Të bëhet më e vështirë jeta për qytetarët që këta të fundit të mos kërkojnë dot të drejtën e tyre. Kështu ata ta lënë të drejtën e tyre dhe të largohen sepse u bëhet jeta e padurueshme”, tha Meta.