Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e Tiranës kanë reaguar lidhur me vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti gjatë mbrëmjes së djeshme në Tiranë. Kurti u shoqërua në polici ku edhe ndërroi jetë. Sipas prokurorisë dhe AMP-së, në stomakun e të riut është gjetur një qese plastike, e cila dyshohet se ishte e mbushur me lëndë narkotike dhe është përcjellë prej tij në momentin që patrulla e policisë i kërkoi mjetet e identifikimit. Sipas autoriteteve, patrulla e policisë i ka kërkuar Kurtit që të japë një mjet identifikimi, por ai ka vrapuar duke u larguar 200 metra më tej ku edhe është kapur. Pasi u shoqërua në polici, ai është ndjerë keq edhe ka ndërruar jetë, gjë e cila është konstatuar në Spitalin e Traumës. Policia këmbëngul se nuk ka kryer asnjë veprim të jashtëligjshëm në shoqërimin e Kurtit edhe pse në duart e tij ka shenja, të cilat AMP thotë se i janë shkaktuar në momentin e prangosjes.
“Nga veprimet hetimore në vazhdim janë dhe këqyrja e kufomës në prani të stafit mjeko-ligjor, nga e cila nuk rezulton që në trupin e viktimës të ketë dëmtime apo shenja dhune. Në kyçe konstatohen shenjat e krijuara në momentin e prangosjes. Nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore. Gjithashtu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, vijojnë ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Nga analiza e kryer e provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, si pamje filmike, këqyrje dhe ekzaminime mjeko-ligjore, nuk evidentohen veprime të kundraligjshme të punonjësve të Policisë, gjatë dhe pas shoqërimit të shtetasit L.K., 32 vjeç“, bëjnë me dije AMP dhe prokuroria.