Invalidët e punës janë mbledhur sot në protestë para Ministrisë së Financave, ku kanë kërkuar plotësimin e një sërë kërkesash nga qeveria. Ishte pikërisht një grua me aftësi të kufizuara nga Korça që parashtroi disa prej pikave që kërkojnë që të plotësohen. Ata janë shprehur se janë kategoria më e diskriminuar ndërsa kanë kërkuar që të plotësohen kërkesat e tyre.
“Kam ardhur nga Korça, jemi invalidë dhe duam të drejtat tona. Duam indeksimin e pensioneve të invalidëve të punës në përputhje me të ardhura dhe rritjen e çmimeve. Duam rimbursim të energjisë elektrike dhe lëndës djegëse. Dhënie e 500 lekëshit, e premtuar nga buxheti. Nuk jemi për lëmoshë, por kërkojmë të drejtat tona”, tha ajo.
Janë konkretisht 8 kërkesa që ata i drejtojnë Ministrisë së Financave, mes të cilave janë: Indeksimi i pensioneve të invalidëve të punës në përputhje me të ardhurat dhe rritjen e çmimeve, rimbursimi i energjisë elektrike, rimbursimin e ilaçeve të domosdoshme për shëndetin për diagnozën që është deklaruar invalidi dhe gjithashtu rritja e ndihmës së paaftësisë te premtuar nga kryeministri në vitin 2013.