Fjalimi i kryeministrit Rama në Këshillin e Evropës duket se nuk i ka lënë “shije të mirë”, politikanëve të Evropës. Sjellja e kryeministrit shqiptar ka bërë që të reagojë grupi i Partive Popullore Evropiane dhe Kristiandemokrate (PPE/DC). Në një deklaratë të kreut të këtij grupi Aleksandër Pociej thuhet me keqardhje se nuk e kanë pranuar ftesën e Ramës për një darkë pune.
“Me keqardhjen time të thellë, pas ndërhyrjes sot pasdite në Kuvend të Kryeministrit të Shqipërisë Z. Edi Rama, Komiteti Presidencial ka marrë vendim për të refuzuar ftesën e Kryeministrit për një darkë pune” – thuhet në njoftimin e publikuar nga kreu i grupit të PPE.
Gjatë fjalës së tij në Këshillin e Evropës, Rama u përplas jo vetëm me disa nga anëtarët, por edhe me drejtuesin e seancës. Deputetët evropianë shprehën pakënaqësi që Rama mbajti një fjalim mjaft të gjatë (gati 1 orë) duke mos u lënë mundësi atyre të bënin komente dhe pyetje. Sipas tyre, kjo ishte hera e parë që ndodhte. Vërejtjet e drejtuesit të seancës për të folur shkurt, Rama i krahasoi me parlamentin shqiptar.