Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar 10 vite burg për iranianin Bijan Poladrag. Poladrag dyshohet se mblidhte informacion ndaj anëtareve të MEK (opozitës iraniane të vendosur në Shqipëri në kampin e Manzës).
Sipas SPAK bazuar në materialet dhe fotot që i janë gjetur në celular faktohet dhe akuza kundër tij. Ai akuzohet për një sërë veprash penale si organizatë terroriste, sulme ndaj sistemit kompjuterik, ndërhyrje në të dhëna kompjuterike të paautorizuara etj.
Bijan Poladrag u ndalua në vitin 2020 nga autoritetet shqiptare pasi dyshohet se mblidhte informacione si i infiltruar në kampin e MEK. Ai mbërriti në Shqipëri, së bashku me kampin “Ashraf 3”, gjatë vitit 2016. Më pas mori leje qëndrimi në vendin tonë dhe u shkëput nga kampi që ndodhet në Manzë. Ai u zhvendos në Tiranë, ku nënshkroi një kontratë qiraje me dy zonja, sipas shkresave që zotëron Prokuroria e Tiranës.
Ai përdori dy celularët e mikpritëseve të tij, ku hapi aplikacionin Telegram dhe komunikoi me persona të dyshimtë, që dyshohet të jenë njerëzit që e rekrutuan si spiun, të cilët donin të merrnin informacione për kampin MEK dhe madje po planifikonin sulme të mundshme ndaj këtij kampi.