Mëngjesin e sotëm, Moska ka lëshuar një paralajmërim për Perëndimin dhe përfshirjen e tij në konfliktin ukrainas. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve RIA, zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov, ka thënë se Rusia do të marrë kundërmasat e duhura në përgjigje të “përfshirjes në rritje” të Perëndimit në luftën me Ukrainën.
Fuqitë perëndimore i kanë ofruar Ukrainës mbështetje ushtarake gjatë gjithë konfliktit dhe kanë vendosur sanksione ndaj aseteve ruse.
“Ne paralajmërojmë dhe shpresojmë që ata të kuptojnë rrezikun e përshkallëzimit të pakontrolluar në Uashington dhe kryeqytete të tjera perëndimore”, ka thënë Ryabkov.
Një ditë më parë, presidenti rus Vladimir Putin tha se një numër i sulmeve me raketa që goditën qytetet e Ukrainës, duke vrarë të paktën 14, ishin hakmarrje për sulmet në territorin rus. Ka të ngjarë që ai i referohej bombardimit të urës Kerch në Krime, për të cilën Moska fajëson forcat ukrainase.