Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Athinë, ku një 53-vjeçar që drejton një dyqan në qendër të Athinës ka dhunuar vazhdimisht një 12-vjeçare dhe e ka detyruar të kryejë prostitucion.
Ai fotografonte momentet intime dhe e ngarkonte materialin në internet, ku kërkonte klientë për të miturën. Mediat e huaja shkruajnë se 53-vjeçari e kishte kërcënuar me armë vajzën.
Ai e njihte nënën e 12-vjeçares, e cila e kishte lejuar fëmijën të bënte punë të vogla për të fituar para xhepi. Në të njëjtën kohë, policia arrestoi një klient të dyshuar 42-vjeçar.
Në pronësi të 53-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan 2 pistoleta, 572 gëzhoja, 21 thika, një bajonetë, 2 laptopë dhe një hard disk, ndërsa 42-vjeçarit një laptop dhe 2 usb.
I akuzuari 53-vjeçar është një familjar dhe dyqanxhi me emër të mirë në lagje, thonë banorët e zonës që janë të tronditur nga lajmi.
“Ai është familjar, ka emër të mirë. E pamë vajzën këtu në lagje, në dyqanin e tij, po e ndihmonte se vjen nga një familje e madhe. U shokuam kur dëgjuam lajmin. Të gjitha gjërat e gjetura janë antike, ai mblidhte sende, është hobi i tij. Vajza e vogël po e ndihmonte, duke pastruar disa rafte në dyqan”, tha një nga banorët.