Qeveria shqiptare do të vendosë në funksionim një fond prej 300 milion eurosh, të cilat do të shkojnë si mbështetje për sektorin e bujqësisë.
Kryeministri Edi Rama diskutoi me fermerët në Karbunarë të Lushnjës, mbi hapat që janë hedhur lidhur me rritjen e mbështetjes së prodhimit bujqësor, rritjen e përfituesve nga skemat e subvencionuese si dhe heqjen e TVSH-së për makineritë e prodhimit që importohen apo rimbursimin e TVSH-së për produktin bujqësor.
Kryeministri Rama nënvizoi vënien në funksionim të instrumentit të ri financiar, Fondin Kombëtar të Garancisë deri 300 milionë euro në tre vitet e ardhshme, një bashkëpunim me BERZH dhe bankat e nivelit të dytë.
Rama: Fondi Kombëtar i Garancisë do të funksionojë edhe si fond garancish për interesat. Ka një pjesë të Fondit që garanton interesat. Ata që do të marrin kredi nga bankat, në një pjesë të tyre, sipas projekteve, do t’i kenë ato pa interes, sepse interesat do t’i garantojë shteti. Nga ana tjetër po ndërtojmë sportelet unike për fermerët, në mënyrë që fermerët të kenë mundësi të informohen, të konsultohen dhe të ndihmohen përmes këtyre sporteleve për projektet e tyre për financim.
Kreu i qeverise garantoi se 50 milionë euro të gatshme aktualisht nëse janë projektet e duhura nga fermerë dhe investitorë në bujqësi. Ai tha se do te ngrihen sportele unike që do të asistojnë fermerët në hartimin e projekteve e tyre.