Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka zbardhur takimin që pati sot me kryetarin dhe nënkryetaren e Komisionit të Ekonomisë. Përmes një postimi në rrjete sociale, Kim tregon se u diskutua për gjykatat të cilat sipas saj mbeten një shqetësim për bizneset amerikane. Diplomatja amerikane thotë se “rregulla të qarta, racionale (përfshirë pronën)+ procedura transparente+ gjykata të pastra janë të nevojshme për të tërhequr më shumë investime nga të cilat përfitojnë më shumë njerëz”.
Kim nënvizon se investitorët amerikanë duhet të dinë se në rast mosmarrëveshjesh, gjykatat në Shqipëri do të japin gjykimin e bazuar në ligj, jo për shkak të frikës apo favorit.
“Kjo është lidhja mes reformës në drejtësi dhe biznesit. Reforma në drejtësi nuk ka të bëjë vetëm me drejtësinë, ka të bëjë edhe me prosperitet për më shumë shqiptarë” thotë ajo.
Ambasadorja Kim thekson se të gjithë, jo vetëm të pasurit dhe të fuqishmit, duhet të kenë një mundësi të drejtë për të përmirësuar jetën e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.