Gjykata e Elbasanit pritet të shprehet sot për fatin e Arbër Paplekajt, i akuzuari për vrasjen e Pjerin Xhucanit. Seanca gjyqësore për dhënien e vendimit është shtyrë 6 herë që nga nisja e procesit për shkak të mos shoqërimit të Paplekajt në seancë.
Paplekaj ka kërkuar rihetim të dosjes dhe rishqyrtim të disa akteve të ekspertizës pas publikimit të pamjeve në media, ku paraqitet skena e plotë e vrasjes.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, përkrahës i Partisë Socialiste. Paplekaj ishte pjesë e një “SMV”, strukture për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD. Pas një sherri verbal pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, ndodhi vrasja ku mbeti i pajetë Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë.
Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun. Nuk dihet ende kush qëlloi ndaj Emiljano Prengës dhe Paulo Vuksanit, të dy ish-policë. Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri.