Presidenca çeke e BE-së do ta rihapë diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën këtë vjeshtë, ka konfirmuar ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavský, i cili tha se do të vijë këtë javë në Prishtinë. Euroaktiv shkruan se kjo temë duhet të diskutohet këtë vjeshtë sapo Komisioni Europian ta finalizojë versionin e përditësuar të raportit të tij për gatishmërinë e Kosovës për heqjen e vizave.
Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë Europën që nuk gëzon liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet që prej disa vitesh. “Zbrapsja” thuhet se vjen nga Franca, por edhe një pjesë e vogël e vendeve që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë Greqinë, Rumaninë, Spanjën, Qipron dhe Sllovakinë.
“Kosova, të cilën do ta vizitoj këtë javë, është vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilës ende kanë nevojë për viza për të udhëtuar në BE. Megjithatë, qëllimi i Republikës Çeke dhe BE-së është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Presidenca jonë është një mundësi për ta shtyrë të gjithë procesin e integrimit përpara”, tha Lipavský.
Pritet që kjo temë të jetë në tryezë në vjeshtë sapo Komisioni Europian ta finalizojë versionin e përditësuar të raportit të tij për gatishmërinë e Kosovës.
“Prandaj, Presidenca Çeke po mbështet në faktin se nëse i ashtuquajturi përditësim teknik i raportit për gatishmërinë e Kosovës për liberalizimin e vizave, të cilin Komisioni Europian aktualisht është duke e finalizuar, është i suksesshëm, kjo çështje do të merret sërish nga shtetet anëtare gjatë vjeshtës”, shpjegoi ministri çek.
Për ta miratuar liberalizimin e vizave është e nevojshme një shumicë e cilësuar prej të paktën 15 shteteve anëtare që përfaqësojnë 65% të qytetarëve të BE-së. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë gjithashtu se vendi do të aplikojë për tu bërë kandidat për në BE deri në fund të vitit 2022, një veprim që ka të ngjarë të ngjall pakënaqësi me Serbinë fqinje e cila aktualisht është duke negociuar anëtarësimin, megjithëse ngadalë.