Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Dibrës, Muharem Rama zhvilloi sot një takim me banorët Maqellarës. Rama premtoi çertifikimin e të gjitha pronave e tokave në Maqellarë.
Në miting morrën pjesë, Kryetari i Grupit Parlamentar të socialistëve Gramoz Ruçi, deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Socialiste për Integrim Përparim Spahiu, deputeti i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet Aqif Rakipi, ministrat Gjiknuri e Beqaj dhe deputetët Balla e Abazi. Gramoz Ruçi shprehu besimin e tij të plotë për kandidatin Rama si dhe i kërkoj qytetarëve ta votojnë.
“Ka 20 vjet që subjekti ynë e kërkon për të kandiduar dhe ai ka hezituar. Kësaj radhe, nuk hezitoi. Pse nuk hezitoi? Sepse profesioni i tij e ndihmon për një gjë, që përpara se të shërosh një pacient duhet të përcaktosh diagnozën dhe ai tani ka përcaktuar diagnozën se ku i dhemb popullit të Peshkopisë. Para se ta ulë në sallë duhet të bindet tek suksesi i operacionit. Tani, ai është i bindur se është në gjendje vërtet të operojë për hallet, problemet e shqetësimet e shumta që ka populli i Peshkopisë”, u shpreh Ruçi.
Damian Gjiknuri insistoi se zgjedhja e dibranëve në 11 Shtator është shumë e qartë. “Më mirë ai që ju ka shërbyer dhe e keni këtu sesa ata njerëz që kanë ikur, kanë premtuar mbi 8 vjet se e keni zgjedhur dhe deputet dhe tani vijnë dhe ju kërkojnë votën”.
Kandidati për Bashkinë e Dibrës Muharem Rama premtoi çertifikimin e të gjitha pronave e tokave në Maqellarë, investime në infrastrukturë, rikonstruksion të shkollave dhe qendrave shëndetësore, investime në sistemin e ujësjellës/kanalizimeve.