Ditën e sotme është finalizuar në Durrës operacioni i koduar “Five”. Lidhur me ngjarjen uniformat blu bëjnë me dije se janë evidentuar dhe goditur pesë raste të tregtimit të mallrave të kontrabanduara. Ndërkohë janë proceduar penalisht pronarët e këtyre dyqaneve.
Sakaq, nga ana tjetër autoritetet bëjnë me dije se janë sekuestruar 2 kg flori, veshje të ndryshme dhe disa pajisje elektrike me shumën monetare marramendëse.
“Kontrolle të pandërprera në çdo subjekt tregtar për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmëritë në fushën e krimit ekonomik. Finalizohet plani operacional i koduar “Five”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës. Evidentohen dhe goditen 5 raste të tregtimit të mallrave të kontrabanduara, procedohen penalisht pronarët e dyqaneve.
Sekuestrohen rreth 2 kg flori, veshje të ndryshme dhe pajisje elektrike, të dyshuara të kontrabanduara. Në vijim të kontrolleve në çdo subjekt tregtar, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimit ekonomik, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan planin operacional policor të koduar “Five”, në kuadër të të cilit u proceduan penalisht shtetasit: G. P., M. B., H. L., E. N. dhe G. B., të pestë banues në Durrës, pasi në dyqanet respektive tregtonin aksesorë floriri, veshje të ndryshme ose pajisje elektrike, të cilat dyshohet se janë të kontrabanduara në vendin tonë.”
Së fundmi, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.