Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka folur me bindje për mediat se mazhoranca do të fitojë zgjedhjet lokale 2023.
Sakaq ai ka folur edhe për reformën territoriale, për të cilën ai shprehet se do t’i qëndrojnë ndarjes që kanë propozuar ekspertët.
Lidhur me këtë, Balla ndër të tjera është shprehur se Alibeaj duhet të respektojë vendimin e kundërshtarit.
“PS do t’i fitojë zgjedhjet vendore të 2023 dhe ky nuk është provokim por fakt sepse ne kemi dëshmuar si një parti e cila është forcë apo fuqi ndryshimi edhe në bashki ku ne jemi rikthyer në qeverisje pas shumë vitesh. Më lejoni të marr shembullin e bashkisë së Kamzës ku janë bërë punë që nuk ishin bërë gjatë 30 viteve. Ne në grupin parlamentar të PS kemi marrë një informacion nga grupi i ekspertëve që angazhuam. Ekspertët që angazhuam pasi morën në konsideratë të gjitha propozimet dhe morën në konsideratë të gjithë propozimet e deritanishme, na kanë sugjeruar që mes propozimeve të ardhura, për zvogëlim apo rritje të numrit. Në këtë kontekst konkluzioni i ekspertëve është që ne t’i qëndrojmë kësaj ndarje territoriale. Qëndrimi ynë është se ndarja me 65 bashki dhe 12 qarqe është më e mira e mundshme”, tha Balla.