Kryeministri Edi Rama po mban një bashkëbisedim online me qytetarë dhe gazetarë, ku po diskutohet për problemet dhe situatën aktuale në vend. Rama u pyet në lidhje me rrugën e Arbrit, se a ka premtim tjetër për këtë rrugë.
“A ka premtim tjetër për Rrugën e Arbrit?”
Nga ana tjetër, në përgjigje të kësaj pyetje Rama është shprehur se në tunelin e Murrizit po punohet përditë dhe se nuk është diçka që mund të parashikohet.
“Tani vetëm të shkoj dhe ta kap tunelin me grushte se gjë tjetër nuk di çfarë të bëj. Në tunelin e Murrizit punohet përditë, nuk është diçka që mund ta parashikonim. Në tunelin e Llogarasë ka dalë një shpellë brenda, duhet një kohë më e gjatë për të kapërcuar këtë gropë që ka dalë. Në tunelin e Murrizit ecet por me shpejtësinë e breshkës. Nuk kam arsye pse t’u kërkoj falje dibranëve. Rrugë të lëna rrugëve, nuk ka me mua dhe me ne. Ne na ka vonuar shumë rrugë që ishin me korrupsion të madh, pa financime, me të gjitha hallet e kësaj bote. Ja ku jemi sot dhe rrugën e Arbrit do ta përfundojmë me se s’bën. Të gjithë dibranëve që i shkojnë pas atij që ju përmendni, nëse doni që të iki, kjo nuk bën vaki pa mbaruar Rrugën e Arbrit. Më mirë me rrugën e Arbrit se me atë rrugë pa shpresë ku jeni zhytur e nuk e kuptoni se sa thellë qëndroni.”