Policia e Bulqizës ka goditur një grup kriminal që ushtronte veprimtarinë e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza në Bulqizë. Policia ka sekuestruar drogë, armë, mallra kontrabandë dhe sende të tjera të kundërligjshme. Ndërsa të arrestuarit janë I. R., 22 vjeç, F. S., 19 vjeç dhe E. A., 20 vjeç.
Gjithashtu nisi procedimi penal në gjendje të lirë për një 21-vjeçar me inicialet A. D., banues në Bulqizë, me të cilët udhëtonte personat e lartpërmendur. Në makinën që drejtohej nga F. S. është gjetur i fshehur një shkop gome si i Policisë, ndërsa pasagjerit në këtë mjet, E. A., i janë gjetur të fshehura në trup doza me lënde narkotike canabis sativa.
Policia më pas ka ushtruar kontroll në banesën e I. R., ku janë gjetur dhe sekuestruar rreth 2 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa, rreth 150 gramë lëndë narkotike canabis sativa e ndarë në doza, 1 bimë e dyshuar narkotike e kultivuar në tokë dhe 170 kg duhan i ndarë në pako, i dyshuar i kontrabanduar.
Gjatë kontrollit në banesën e F. S. është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pushkë model 56.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas funksiononin si grup kriminal që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike, në zonën e Fushë-Bulqizës dhe në qytetin e Bulqizës.