Mbërritja e Nuredin Dumanit nga Kosova në Shqipëri në muajin Mars 2022, nuk kishte për qëllim të vriste vetëm Elton Kilës alias “Otin e Elbasanit”, por të godiste dhe kundërshtarin e tij të betuar, Talo Çelën.
Dumani, kishte planifikuar të kryente një rrugë e dy punë në Elbasan, pasi në fokusin e vizitës së tij në muajin Mars 2022, nuk paska qenë vetëm joshja me 200 mijë euro për vrasjen e “Otit”, por edhe goditja e Talo Çelës.
Hetimi i SPAK-ut, ka përparuar gjatë kësaj kohe, ku është mësuar se Nuredin Dumani, ka marrë informacion nga një hetues në Elbasan, për një bazë të fshehtë ku qëndronte Talo Çela.
Pikërisht në këtë shtëpi, sipas hetimeve dhe vetë asaj që tregon Dumani para hetuesve, qëndronte Talo Çela, i cili bazën ushqimore gjatë qëndrimit në këtë banesë, e merrte përmes një punëtori të “Otit”.
Vrasja e “Otit” ka një dyzim qëndrimi nga Nuradin Dumani, pasi ai tregon në prokurori se vrasjen e kishte porositur Suel Çela.
Ndërsa miku i tij Henrik Hoxhaj, që ka fituar statusin e bashkëpunëtorit, ka treguar për prokurorët se vrasjen e “Otit” e kërkonte me çdo kusht Dumani, kundrejt një çmimi prej 70 mijë euro.
Kjo pasi sipas Hoxhajt, “Oti” mbante me bukë hasmin e Dumanit, Talo Çelën. Me dëshirën për të eliminuar “Otin” që sipas Dumanit këtë krim, ja kishte kërkuar Suel Çela dhe etjes personale për të vrarë, Talo Çelën, Dumani ka vendosur të dalë nga baza e tij në Kosovë dhe të udhëtojë në Shqipëri për të mbaruar punë.
Ndërkohë gjatë kohës, që ka mbërritur në Shqipëri dhe ka qëndruar fillimisht në banesën e marrë me qira në ish-bllok nga Henrik Haxhiaj, Dumani ka treguar se është informuar nga Suel Çela, që Taloja ndodhej i strehuar në banesën e Ben Muçës.
Dumani është bindur për këtë informacion, pasi Taloja sipas tij kishte shoqëri me Ben Muçës, për shkak se kishin qenë në burg së bashku.
Por për të qenë i sigurt mbi këtë informacion, Dumani, ka vendosur të udhëtojë nga zona e ish-Bllokut në drejtim të Elbasanit, në zonën e Fushë-Mbretit, ku ndodhej dhe shtëpia e Ben Muçës. Qëllimi i kësaj vizite nuk ka qenë goditja me armë, por sigurimi nëse Talo Çela ndodhej në banesë ose jo.
“…pasi verifikova ku ishte shtëpia, pashë nëse banesa dhe zona për rreth kishte kamera apo jo… Jam larguar dhe sërish pas 10 minuta kam shkuar herën e dytë, të shikoja nga dritarja a kishte njerëz apo jo. I kam thënë Henrikut se besoj Taloja, ishte në atë shtëpi, pasi në shtëpi kishte njerëz, por se dija kush ishin. Kur jam afruar afër hyrjes në oborrin e shtëpisë, kam dëgjuar zhurmën, siç mbushet kallashi dhe jam larguar…”—ka treguar Dumani.
Ky i fundit ka ndjerë diçka jo normale dhe që nuk shkonte në atë banesë, dhe frika se mos binte në grackë, ka sjellë largimin me shpejtësi në drejtim të Henrikut.
Të dy së bashku, kanë ikur në qytetin e Fierit. Në Fier fillimisht, qëndruan në ambientet e një hoteli, pastaj në një shtëpi ku Dumani u arrestua nga policia së bashku me Henrik Hoxhaj. /OraNews