Një tjetër rast përdhunimi i një të miture është raportuar në Policinë e Kosovës ku një vajzë e mitur dyshohet se është përdhunuar nga një person i moshës madhore në komunën e Istogut.
Viktima dyshohet se është përdhunuar rreth një muaj më parë, por sipas policisë për shkak të frikës nuk e ka raportuar rastin në polici deri dje ku ajo është paraqitur në polici së bashku me prindërit e saj.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë rajonale të Pejë Fadil Gashi i cili gjithashtu konfirmoi se i dyshuari është arrestuar nga policia.
“Rasti ka ndodhur para një muaji më 09 gusht 2022 në komunën e Istogut, viktima nuk e ka raportuar rastin për shkak të frikës. Hetuesit po e trajtojnë rastin dhe të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, tha Gashi.
Pas raportimit të rastit, policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë në pritje të hetimeve.
Ky është rasti i disatë i përdhunimit të të miturve në Kosovë ku vetëm pak ditë më parë përdhunimi i një 11-vjeçareje në një park në Prishtinë nga 5 burra për rreth 7 orë shkaktoi indinjatë në të gjithë vendin duke ngritur protesta në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Dragodan të Prishtinës më 27 gusht, ku 5 burra, mes tyre 3 të mitur, kanë dhunuar e përdhunuar një 11-vjeçare për 7 orë në një nga parqet e kryeqytetit. Fillimisht janë arrestuar 4 nga 5 autorët e dyshuar të ngjarjes ndërkohë që i pesti u dorëzua në polici pas 3 ditësh.