Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Rusisë që ta lirojë menjëherë politikanin opozitar, Aleksei Navalny, i cili është dërguar së fundmi në izolim.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga ndërhyrja që po bën qeveria ruse në të drejtat e Aleksei Navalnyt”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.
Navalny, i cili është duke vuajtur dënimin me burg për dy akuza, shkelje të rregullave të dënimit me kusht, dhe për përvetësim në një burg 260 kilometra në lindje të Moskës, ka thënë se autoritetet e kanë dërguar në izolim.
Sipas tij, ai do të kalojë 15 ditë në izolim, për herë të katërt që nga dita kur është burgosur. Navaly, i cili njihet si kritik i ashpër i Kremlinit, është arrestuar në janar të vitit 2021, pas kthimit në Moskë nga Gjermania.