Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Shkup ku një gjimnazist raportohet se ka kryer vetëvrasje, pak pasi është njohur me listën e notave.
“Është vetëvrarë një nxënës nga gjimnazi “Korçagin” në Shkup”, ka shkruar në Facebook Mimoza Ristova, profesoreshë nga Instituti i Fizikës, duke u bërë thirrje autoriteteve që të marrin masa dhe t’i ndihmojnë nxënësit, disa prej të cilëve po përballen me trauma psikologjike.
Ristova shkruan se gjimnazisti pasi ka marrë notat e ka vrarë veten duke hedhur dyshime se ky mund të ketë qenë shkaku i ndërmarrjes së aktit të rëndë.
“Të organizohen trajnime për mësuesit që të mësojnë se si të sillen me adoleshentët, depresioni i të cilëve është rritur në një përqindje të madhe për shkak të pandemisë Covid”, thuhet ndër të tjera në postimin e Ristovas.
Profesoresha njofton se varrimi u bë sot, ndërsa shton se ky lajm i trishtë duhet të vërë në lëvizje mekanizmat, nëse ekziston shteti “në vend të barutit të qelbur mafioz”.