Kreu i Partisë së Lirisë ilir Meta doli në një konferencë për mediat për të folur për shembjet e paligjshme të IKMT te “Prestige Resort”.
Meta tha se është një akt terrorist ndaj medias së lirë dhe një sulm për imazhin e Shqipërisë. Ai hodhi akuza të rënda ndaj kryeministrit Rama duke u shprehur se “Kuvendi duhet të nisë urgjent procedurat të verifikuar shëndetin mendor dhe kartelat psikike të Ramës dhe të merren masa për të bërë testin e drogës”
“Akti sot ishte një sulm për imazhin e Shqipërisë. Turistët u bënë dëshmitarë të një skenë të shëmtuar të dhunës në një nga resortet më të bukura dhe të suksesshme në vendin tonë. Akti i sotëm është një shkatërrim i shtetit ligjor, edhe projektet që kanë ideuar vetë nuk kanë asnjë vlerë përballë skizofrenisë të Edi Ramës në panik. Kuvendi urgjent të nisë procedurat të verifikuar shëndetin mendor dhe kartelat psikike të Ramës dhe të merren masa për të bërë testin e drogës dhe substancave të tjera narkotike pasi për shkak të gjendjes së rënduar mund të shkaktojë dëme më të mëdha për Shqipërinë”, tha Meta.