Policia italiane ka shkatërruar një organizim kriminal që menaxhohej nga një kupolë drejtuese dhe vepronte si një sistem që lidhte drejtuesit e administratës lokale, mafien territoriale e botën e sipërmarrjes.
Shkëmbim e favorizim, votë elektorale në zgjedhje administrative vendore, garë e padrejtë tenderime publike, mashtrim me fondet publike, abuzim me detyrën e funksionarit publik, vepra penale në dëm të administratës publike, pronësi fiktive e falsifikim prone, dëshmi e rremë, riciklim e riciklim parash, pastrim të ardhurash nga aktivitete të paligjshme si trafik droge e tipit kokainë, marijuanë, hashash e heroinë, si dhe organizim kriminal në aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit e të basteve sportive si dhe vepra penale e pastrimit të parave në lidhje me to, mashtrim me pasurinë e të ardhurat në interesat mes sipërmarrësve të këtij sektori e krimit të organizuar mjaft joshës në këtë biznes shumë fitimprurës.
Këto janë akuzat që kanë vënë në pranga 139 të arrestuar, 50 të tjerë në arrest shtëpiak, 12 në urdhër detyrim paraqitje e 1 person në pezullim profesioni të avokatit.
Megaoperacioni i ekzekutuar mëngjesin e sotëm në territorin e provincës së Cosenzas, u drejtua nga hetimet e Prokurorisë së Katanzaros e Prokurorit të Antimafias Nicola Gratteri.
Hetimet zbardhën një SISTEM kriminal që qeveriste e meanxhonte përmes një komiteti drejtues aktivitetet e paligjshme kriminale në territorin e Cosenzas e provincën e saj.
Organizimi i tyre bazohej në një strukturë të lartë drejtuese e përbërë nga dy grupe: klan i italianëve dhe klani i romëve (zingari) që kishin nëngrupet e tyre organizuese.
Hetimet e bazuar në metodologjinë tradicionale të Antimafias , zbardhën lidhjet e tyre me eksponentë drejtues lokal si kryetari i Bashkisë së Rendes, me këshilltarin e punëve publike të këtij rajoni si dhe me Drejtorin e Dekorit Urban të Kozencës.
Në sekuestrim paraprak janë vënë pasuri e prona me vlerë 72 milionë euro mes të cilave një avion i vogël, një mjet lundrues, 70 autovetura, 7 motorë, 78 banesa mes të cilave 5 vila, 26 hektarë tokë, 39 kompani shumica e të cilave me aktivitet në lojëra fati, baste sportive e bilardo, 20 kompani me aktivitet në sektorin turistik, artistik e ndërmjetësi financiare si dhe 7 shoqata me aktivitet në fushën sportive.