Deputeti Lefter Gështenja thirri mbrëmë një mbledhje të deputetëve që nuk i janë bashkuar Berishës për të diskutuar aksionin në Kuvend.
Në këtë mbledhje ku u thirrën 35 deputetë, 20 prej tyre ishin të pranishëm, tetë të tjerë e konfirmuan prezencën e tyre online ndërsa shtatë të tjerë nuk iu përgjigjën ftesës për takim.
Burimet bëjnë të ditur se deputetët që refuzuan të shkonin në këtë takim ishin Tomor Alizoti, Grida Duma, Ervin Salianji, Zef Hila, Greta Bardeli, Lindita Metaliaj dhe Xhelal Mziu. Edhe në takimin e djeshëm nuk ka mbetur jashtë vëmendjes ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Ka qenë deputetja Flutura Açka dhe Ferdinat Xhaferaj, të cilët janë shprehur se Lulzim Basha është i mirëpritur në grupin e tyre për të dhënë kontributin. “Bashën e kemi koleg. Ai ka një kontribut dhe si koleg, si deputet mund të ketë një kontribut në grupin tonë si deputet. Nuk duhet të kemi asnjë shqetësim nga prezenca e z. Basha. Eksperienca e tij është e nevojshme për grupin parlamentar”, mësohet të ketë thënë Flutura Açka. Ndërsa Xhaferi ka vlerësuar opozitarizmin e tij. “Unë kam kërkuar që të japë dorëheqjen, por ai është i domosdoshëm për opozitën dhe këtë grup. Duhet ftuar të marrë pjesë në grup mbledhje për të kontribuar. Ne duhet të fillojmë me një sjellje tjetër me një qëndrim serioz në strategjinë. Mund të delegojmë një kryesi të vogël”, është shprehur Xhaferraj.