Partia Demokratike ka mbledhur sot kryesinë. Në fjalën e tij kreu i opozitës Sali Berisha u shpreh se vendi po vlon nga urrejtja e pakënaqësia e përgjegjëse për këtë është sipas tij regjimi i drejtuar nga kryeministri Rama.
“Sot Shqipëria po zien, Tirana po vlon, pakënaqësia dhe urrejtja ndaj këtij regjimi po bëhet gjithnjë më e papërmbajtur, gjithnjë e më e madhe. Kjo është plotësisht e ligjshme sepse çdo ditë e më e papërmbajtur bëhet makineria e vjedhjes dhe e plaçkitjes nga regjimi me në krye Edi Ramën i qytetarëve shqiptarë. Sot për fat të keq, institucionet e këtij shteti të mafies janë shndërruar në sera që përgatisin hajdutë zyrtarë. Kur e them këtë, e them jo për të injoruar se në administratën shtetërore ka edhe njerëz të ndershëm”, tha Berisha.
Sipas tij, seritë e vjedhjeve janë duke ndodhur pasi nuk funksiononin ligji, pasi sipas tij është kryeministri Rama ai që qëndron në krye të vjedhjeve, duke u shndërruar në një sistem.
Këtu ai ka përmendur aferat gjigande të portit të Durrësit dhe parkut të Butrintit.
“E vërteta është që në qindra firma në këtë administratë hidhen në dokumente, është e pamundur të gjesh një që është në përputhje me ligjin. Kjo ndodh sipas një ligji të njohur, kur kryeministri vjedh, vjedhja shndërrohet në sistem. Kur kryeministri del mbi ligjet, të tjerët me vrap i mbi kalojnë ato. E transformuar në një makineri gjigande vjedhje dhe plaçkitje, asnjë mekanizëm zyrtar nuk mund ta ndalojë më këtë makineri. Vjedhja e pronës publike kulmon me aferat gjigande të portit të Durrësit dhe parkut të Butrintit”, tha Berisha.