Bosi turk i kriptomonedhave, Faruk Fatih Özer, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet për mashtrim dhe krijim të një organizate kriminale në Turqi, u arrestua nga policia shqiptare në Himarë.
Policia e Shtetit, në një njoftim për mediat disa orë pasi lajmi ishte përhapur për arrestimin e tij, tha se bashkë me të, ishin dhe dy persona të tjerë të cilët janë shoqëruar për të sqaruar pozitat e tyre në raport me këtë situatë.
Nga pamjet e policisë shihet Özer në momentin e arrestimit pa bluzë dhe me pranga në duar pasi uniformat blu e kanë arrestuar në shtëpinë ku po pushonte, në orët e para të mëngjesit.
Gjykata e Lartë e Stambollit ka lëshuar urdhër arresti në vitin 2021, ndaj 28-vjeçarit, për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar laptopë, aparate celulare, karta bankash etj.