Përmes një postimi në Facebook, deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka reaguar kundër kërkesave të bëra nga Presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli ndaj qeverisë për rihapjen e basteve. Vasili thotë se kjo është ide e Ramës, i cili deri përpara disa vitesh shprehej kundër. Vasili shprehet se Rama tashmë ka nxjerrë disa drejtues federatash që kërkojnë rihapjen e basteve në mënyrë që të ndihmohet sporti. Deputeti i PL-së gjithashtu thotë se sporti nuk zhvillohet me bixhoz.
“Çfarë i pacipi, dje çirrej kundër basteve, sot pa pikë turpi do që t’i hap përsëri. Shiheni deri ku arrin lapangjozllëku i këtij. Dje ulërinte se bastet shkatërrojnë familjet, fëmijërinë e shqiptarëve dhe se i kontrollonte krimi i organizuar. Sot me kurdisje gjoja federatash dhe drejtuesish rilindas sporti, po kurdis rihapjen e basteve me gjoja nisma për rihapje të basteve, që gjoja me lekët e basteve të ndihmohet sporti. Pra Sporti sipas këtij u zhvilloka e përparoka me para bastesh. Sporti është detyrim i shtetit që ta financojë me buxhetin e shtetit. Por ky e vjedh dhe grin buxhetin me inceneratorë, koncesione e tendera dhe për sportin nuk mbetet asnjë kacidhe. Sporti nuk zhvillohet me bixhoz. Shiheni VIDEON dhe kuptoni çfarë do të thotë paturpësi dhe pacipësi e këtij njeriu” – shkruan Vasili në facebook.