Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka reaguar në lidhje me pasqyrimin e simboleve komuniste në festivalin “Sunny Hill”, që u mbajt gjatë këtyre ditëve në Tiranë.
Përmes një postimi në Facebook, Alibeaj shkruan se shfaqja e simboleve të komunizmit nuk është diçka e rastësishme në këtë vend, por bëhet me qëllim nga nostalgjikët e regjimit duke fyer vuajtjet dhe sakrificat e mijërave shqiptarëve.
Ai shton se kjo është arsyeja pse PD ka këmbëngulur gjithmonë se dekomunistizimi është një proces që duhet marrë seriozisht dhe që të përfshijë dhe çështjen e simboleve.
Postimi:
Mediat kanë publikuar sot shfaqjen e simboleve të komunizmit gjatë festivalit “Sunny Hill” në Tiranë.
Është për të ardhur keq që asnjë nga organizatorët, përfshirë bashkinë e Tiranës dhe qeverinë nuk kanë reaguar ende për këtë akt të paprecedentë.
Shfaqja e simboleve të komunizmit nuk është diçka e rastësishme në një vend që ka vuajtur gjatë nën diktaturën e instaluar nga komunistët. Herë pas herë nostalgjikë dhe jo vetëm shfaqen me simbolet e diktaturës duke fyer kujtimin, vuajtjet dhe sakrificat e mijëra shqiptarëve.
Ndaj PD ka këmbëngulur gjithmonë se dekomunistizimi është një proces që duhet marrë seriozisht dhe trajtuar me respektin që meriton një komb që ka vuajtur kaq shumë dhe gjatë diktaturën komuniste.
Për këtë arsye ne depozituam në Kuvend projektligjin tonë që parashikon dhe çështjen e simboleve të diktaturës dhe do depozitojmë atë për lustracionin. Lustracioni dhe dekomunistizimi janë procese që ecin bashkë dhe të ndara nga njëra-tjetra ato nuk mund të funksionojnë.
Shoqëria shqiptarë ka nevojë për transparencë dhe seriozitet në trajtimin e një çështje që s’mund të jetë kurrsesi armë në duart e atyre që e përdorin për arsyet meskine të politikës së ditës.