Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për hetimin e SPAK ndaj tij, ndërkohë që ka paralajmëruar publikimin e fakteve të reja për atë që ai e quan si afera e zezë e inceneratorëve, po ashtu dhe për superaferën e Portit të Durrësit.
Sipas Metës, për Portin e Durrësit kostot për taksapaguesit e këtij qyteti do të shkojnë deri në 5 miliardë euro. Duke folur për hetimin e SPAK ndaj tij, Meta thekson se Rama po përdor drejtësinë për të spostuar vëmendjen e opinionit publik me ato që ai i quan si “hetime qesharake ndaj drejtuesve të opozitës”.
“Hetimet tona vazhdojnë të thellohen dhe rëndohen jo vetëm për aferën e zezë të inceneratorëve, jo vetëm për superaferën e Portit të Durrësit kosto e të cilit mund të shkojë deri në 5 miliardë euro për taksapaguesit durrsakë dhe shqiptarë, por edhe për shumë afera të tjera, garant dhe përfitues kryesor i të cilave është Ramoviçi dhe për të cilat do të përgjigjet deri në një. Përpjekjet e dëshpëruara për të keqpërdorur “krijesat” e Partisë në drejtësi për të spostuar vëmendjen e opinionit publik me “hetime” qesharake ndaj drejtuesve të opozitës tregojnë vetëm përpëlitjet e fundit të regjimit kriminal për të shtyrë me ditë dhe javë llogaridhënien e tij të pashmangshme. Krijesat e Partisë që marrin urdhra në Kongresin e partisë-shtet veç forcojnë bindjen e të gjithë shqiptarëve të ndershëm se janë një seksion i Rilindjes dhe përgjegjëse po sa ajo për korrupsionin galopant dhe lidhjet e krimit me politikën. Monopolin e Drejtësisë e ka vetëm Populli i Shqipërisë dhe ai do të jetë Gjykatësi më i drejtë shumë shpejt”, thekson Meta.