Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër është shpallur në kërkim nga policia. Gjekë Sokoli është në kërkim pasi sipas forcave blu, ka shpërdoruar detyrën duke mos evidentuar aktivitetet e paligjshme që kryheshin në zonë.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Illegality”, është zbuluar se një biznes prodhonte dhe shiste nën emërtimet e markave të tjera, produkte ushqimore, në këtë rast vezë, të pakontrolluar. Për këtë, policia ka vënë në pranga dhe një 55-vjeçar.
Gjithashtu u proceduan për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”, shtetasit: -A. D. 56 vjeçe dhe K. N. 30 vjeç, të dy banues në lagjen Ndoc Mazi, Shkodër dhe F. A. 45 vjeç, banues në lagjen “Vasil Shanto”, Shkodër, pasi këta shtetas ushtronin aktivitete përkatëse në fushën e hotelerisë, në Shkodër, të paregjistruar në organet tatimore. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.