Gjatë takimit me ministrin e punëve të brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin në Moskë, kryediplomati rus Sergej Lavrov ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç po koordinohen në telefon për çdo hap.
Kjo deklaratë e tij vjen në një kohë të marrëdhënieve të tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak të masave të reciprocitet që planifikon t’i zbatojë Qeveria e Kosovës dhe mungesës së një marrëveshjeje mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç në Bruksel gjatë javës së kaluar.
Vulin është munduar të jap mesazhe të forta, duke thënë se askush nuk mund t’i lëkundë marrëdhëniet serbo-ruse.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Vulin është lavdëruar se Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe “nuk është bërë pjesë e histerisë anti-ruse”.
Theksohet se ai ka shprehur mirënjohje ndaj Rusisë për respektimin e vazhdueshëm të sovranitetit dhe integritetit të Serbisë dhe mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se Lavrov ka thënë se Rusia do të vazhdojë të mbështesë Serbinë në ruajtjen e integritetit të saj territorial.