Viktimat e atentatit të sotëm në mbikalimin e Panajasë janë identifikuar si 37-vjeçari Shpati Lena dhe 34-vjeçari Haki Xhezo, i cili në zonën e Vlorës njihej si “Bushi”.
Ata udhëtonin me një automjet tip “Benz”, që është bërë shoshë nga breshëria e plumbave të tre armëve kallashnikov, të cilat u gjetën brenda makinës tip “BMW” me targa italiane që autorët e dogjën në fshatin Frakull i Madh të Fierit.
Teksa policia dyshon se hakmarrja është pista kryesore e atentatit, zbulohet se Shpati Lena dhe Haki Xhezo kanë lidhje me masakrën e Vlorës, të ndodhur në zonën e plazhit të Vjetër në vitin 2019, ku një biznesmen u vra për një kalë.
Më konkretisht, u ekzekutua Arben Beqiraj. Ngjarja ndodhi vetëm sepse një kalë i ka prishur qetësinë disa pushuesve që po bënin plazh në muajin gusht në Vlorë. Asokohe
Asokohe, Beqiraj ka keqtrajtuar në grup rojën e kalit Gazmend Alushi, i cili paguhej 100 mijë lek të vjetra në muaj nga Ermal (allias) Eduart Xhezo për kujdesin ndaj kafshës.
Arben Beqiraj, djali i tij dhe persona të tjerë familjarë që ndodheshin në lokal më 4 gusht 2019 kanë goditur me grushte dhe shkelma duke e dëmtuar rëndë Alushin, i cili pasi i ka shpëtuar sulmit, ka shkuar në banesën e tij dhe i ka rrëfyer ngjarjen Ermal Xhezos.
Gazmend Alushi i ka pohuar se ishte dhunuar nga “Arbeni i Çeçesë” dhe kjo ka bërë që Ermal Xhezo të mobilizojë një grup personash, ku përfshihen Shpati Lena dhe kunati i tij Ariel Kingji, të armatosur me automatikë dhe pistoleta, për të shkuar në ambientet e lokalit të Arben Beqiraj.
Teksa kanë shkuar për të sqaruar episodin me rojën e kalit, janë ulur për tre minuta në një tavolinë dhe më pas kanë nisur përplasjet fizike deri në përdorimin e armëve, duke shkaktuar vrasjen e Beqirajt dhe plagosjen e djalit të tij dhe të afërmit të viktimës Nesim Hodaj.
Autor i vrasjes Eduart Xhezo ndodhet ende në burg ku vuan dënimin e tij, ndërsa Shpati Lena dhe kunati i tij u akuzuan si bashkëpunëtor në krim.
Shpati Lena prej 3 vitesh ishte në kërkim si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Beqiraj në nëntor të 2019, por pavarësisht kësaj lëvizte i lirë në Vlorë dhe është arrestuar vetëm në 23 mars 2022 në operacionin “Waves” të forcave “Shqiponja”, teksa mbante edhe armë me vete.