Pasi u shpall kampione në Lojërat Mesdhetare, atletja e shquar shqiptare Luiza Gega, ka shkëlqyer mëngjesin e sotëm edhe në bateritë e garës së 3000 metrave me pengesa në Europianin e Atletikës, që po zhvillohet në Mynih të Gjermanisë.
Gega doli e para në baterinë e saj me rezultatin 9’30”93. Gega ka dominuar në pistë gjatë këtij konkurrimi, duke siguruar kështu edhe kualifikimin për në finale. Në pjesën e parë të garës, ajo ka qenë në grupin e atleteve kryesuese, ndërsa në pjesën e dytë arrin të shkëputet e të garojë e vetme, duke mos e diskutuar fitoren.
Atletja kuqezi, e pesta në botë në këtë disiplinë një muaj më parë, konsiderohet favorite për medalje në finalen e 20 gushtit. Në Botëror, ajo ishte atletja më e mirë nga Evropa, ndaj shanset për një medalje të artë janë të mëdha për Gegën.