Presidenti i Republikës, Bajram Begaj është në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë në të parën vizitë shtetërore si President. Bajram Begaj është takuar në selinë e Kuvendit, me drejtues të opozitës parlamentare shqiptare dhe përfaqësues të partive minoritare.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë Begaj nënvizoi se mbështet plotësisht të drejtën legjitime të Kosovës për shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit, në bashkëpunim me ShBA-në dhe BE-në. Sipas tij dialogu me Serbinë është e vetmja mënyrë që të bëhet e qartë se realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm.
Pas takimit me krerët e partive politike, Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në bazën e NATO-s në Kosovë, ku dhe është takuar me komandantin e KFOR-it.