Sekretar Organizativ i PL, Endrit Braimllari, ka bërë sot disa akuza ndaj qeverisë sa i përket sektorit të bujqësisë. Përmes një postimi në Faecbook, ai është shprehur se Rilindja bën propagandë me naftën falas për fermerët, pro në fakt po i vjedh ata. Sipas tij, çdo ditë fermerët po çojnë dëm kultivimet e tyre, pasi qeveria nuk iu ka siguruar treg, nuk i mbështet dhe si pasojë ata po zhyten gjithmonë e më shumë në varfëri. Më tutje ai thekson se me rritjen e çmimit e naftës dhe mungesën e subvencioneve për fatkeqësitë natyrore, qeveria i ka dhënë goditjen e fundit fermerëve në vend, duke iu hapur rrugëve vetë disa klientëve të Ramës.
“Fermeri vendas në varfëri, Rilindja propagandë dhe mashtrim. Fermeri vendas po përballet me vështirësi të jashtëzakonshme në kushtet kur çmimet po rriten çdo ditë. Rritja e çmimit të karburantit e inputeve bujqësore, mungesa e infrastrukturës, mungesa e tregut për produktet vendas, mungesa e subvencioneve dhe skemat klienteliste të përfitimit. Reshjet e breshërit në muajin qershor dhe mungesa e vëmendjes nga pushteti lokal dhe qendrorë kanë çuar fermerin vendas në kushtet e falimentimit. Është e pa imagjinuar që 80 përqind e të rinjve në qarkun Korçë, në zonën më prodhuese të Shqipërisë emigrojnë në Maqedonin e Veriut dhe në Greqi për të kryer të njëjtën punë në bujqësi dhe lënë tokat e tyre më prodhuese sepse Rilindja nuk i mbështet por i detyron drejt emigrimit në një politikë të qartë antikombëtare dhe shpopulluese”, shkruan ai.
Ndërsa thekson më tej se sektori i bujqësisë është në gjendje kritike, Braimllari rendit dhe disa nga pikat që, sipas tij, i nevojiten fermerëve të rimarrin veten. “Sektori i bujqësisë është në emergjencë dhe duhet të shikohet qartë si një sektor strategjik dhe për këtë kërkon vëmendje dhe angazhim të drejtpërdrejtë. Bujqësia ka nevojë: Revolucion Antikorrupsion në bujqësi me qëllim që prioritet i AZHBR-së të mos jetë afera e inceneratorëve por fermeri vendas. Subvencionim i drejtpërdrejtë për çdo njësi prodhimi. Subvencionim për çmimin e inputeve. Subvencionim për skemën e karburantit. Favorizimin e produkukteve Made in Albania”, thekson ai.