Një lajm i mirë mbërrin për Kosovën, pasi deputeti i Parlamentit të Ukrainës, Oleksiy Goncharenko, ka dorëzuar dje një draft-rezolutë në parlament, përmes të cilit bëhet thirrje që Ukraina të njohë pavarësinë e Kosovës. Deputeti Goncharenko ka bërë publike iniciativën e tij në Twitter, duke shkruar se shpreson që Ukraina ta njohë pavarësinë e Kosovës sa më parë të jetë e mundur. Për këtë ka shkruar ish-kryediplomati i Kosovës, Petrit Selimi, i cili tha se pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, tashmë populli ukrainas i njeh cilët janë miqtë e vërtetë.
“Iniciativë e rëndësishme nga deputetët ukrainas, duke bërë thirrje për njohjen e Kosovës. Prej vitesh, Ukraina ka refuzuar të njohë Kosovën, duke ruajtur lidhje miqësore me Serbinë. Pas pushtimit gjenocidal rus, Ukraina e di se cilët janë miqtë e vërtetë. Sigurisht që jo apologjetët e Putinit” – ka shkruar Selimi.
Deputeti Goncharenko po ashtu ka bërë një postim tjetër në Facebook në lidhje me draft-rezolutën e propozuar, duke thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës s’e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe shteti njihet nga 22 vende të BE-së si dhe nga ShBA, Britania e Madhe e Kanada.
Ai ka thënë tutje se një hap konsistent para i Ukrainës do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës.
Important initiative from Ukrainian MPs, calling for recognition of Kosovo. For years now, Ukraine has refused to recognize Kosovo, maintaining friendly ties to Serbia. After the genocidal Russian occupation, Ukraine knows who the real friends are. Certainly not Putin-apologists. https://t.co/CsvmBzIghQ
— Petrit Selimi (@Petrit) August 6, 2022