Deputetët demokratë i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr. 53/2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e mënyrës së zbatimit të ligjit nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë”.
Në kërkesë i kërkohet Gjykatës Kushtetuese që të shprehet se deri në çfarë mase ka të drejtë shumica parlamentare të vlerësojë nivelin e respektimit të parimeve kushtetuese në kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor të Kuvendit nga jo më pak se 1/4 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe nëse ka të drejtë shumica parlamentare që pa ofruar asnjë propozim a formulim alternativ, të rrëzojë një kërkesë për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit, për shkak se pretendon mosrespektimin e parimeve kushtetuese?
Për më shumë së tre herë, 35 deputetë të Grupit Parlamentar të PD i kërkuan Kuvendit të kontrollonte mënyrën sesi Qeveria ka zbatuar ligjin për investimet strategjike, por mazhoranca socialiste në Kuvend, vendosi mosmiratimin e ngritjes së një Komisioni Hetimor për këtë çështje.
Për deputetët demokrat ligji i investimeve strategjike është shndërruar në një ligj klientelist që ka favorizuar vetëm pak investitor vendas pranë Qeverisë. Për të ilustruar abuzimin me këtë ligj demokratët kanë sjell shembullin e përfitimit të statusit të investitorit strategjik të bashkëshortit të ministres së Jashtme Olta Xhaçka.