Policia e Tiranës i ka vënë prangat një 45-vjeçar, i cili lëvizte duke mbajtur në çantë një pistoletë, municione dhe silenciator. Blutë bëjnë me dije se ai u kap duke lëvizur në një makinë në shoqërinë e një shoku, i cili kishte dijeni për armën që ai mbante me vete, por nuk ka treguar.
Dyshimet janë që 45-vjeçari mund të kryente një vrasje, por policia po heton në këtë pistë. Ndërkohë që gjatë kontrollit të banesës së 45-vjeçarit E. K., shërbimet e Policisë gjetën një pushkë sportive, tre thika dhe municion luftarak.
Njoftimi
Finalizohet, nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Pasagjeri”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, 1 pushkë sportive, tre thika, krehër, municion luftarak, silenciator dhe 2 aparate celulare. Vihet në pranga poseduesi i tyre.
Në pranga edhe një shtetas tjetër, për moskallëzim krimi.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në rrugën “Agush Gjergjevica”, në një automjet, po qarkullonte 1 shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pasagjeri”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– E. K., 45 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”;
– M. M., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Në rrugën “Agush Gjergjevica”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin M. M. dhe pasagjer shtetasin E. K.
Gjatë kontrollit në çantën e dorës së shtetasit E. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një silenciator. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. K., shërbimet e Policisë gjetën një pushkë sportive, tre thika dhe municion luftarak. Shtetasi M. M. ka patur dijeni për krimin, por nuk ka kallëzuar.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale