Nikoll Marnikollaj, babai i 29-vjeçarit Pëllumb Marnikollaj, i cili vdiq në rajonin e policisë në Greqi në rrethana misterioze në një intervistë për mediat, sqaroi të gjitha momentet, që në kohën kur djali i tij u largua për t’u paraqitur në polici dhe deri në momentin kur kanë gjetur trupin gati për ta varrosur.
Babi i të ndjerit është shprehur se autoritetet greke nuk kanë pasur asnjë arsye për ta varrosur të birin si njeri pa identitet, pasi ai ka qenë lehtësisht i identifikueshëm me pasaportë dhe adresë banimi.
Ai tha se do të vazhdojë rrugën ligjore deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dënimin e autorëve.
Intervista e Nikoll Marnikollaj
Nikoll Marnikollaj: Shkaktarët e vdekjes së djalit tim ma kanë krijuar policia e Athinës. Më datën 3 gusht djali ka shkuar për t’u paraqitur për të zbatuar ato rregullat e tyre si çdo qytetar tjetër, për tu paraqitur për të firmosur dhe ka shkuar në polici dhe nuk ka dalë më i gjallë nga aty.
Sesi kanë ndodhur gjërat unë nuk e di, por nuk jam dakord me atë që thonë ato. Ai ka shkuar me dëshirën e tij për të zbatuar rregullat e tyre, për të firmosur dhe për tu kthyer aty ka ka pasur adresën për tu kthyer, por ata e dhunuan, e masakruan dhe i morën edhe jetën. Ka qëndruar 8 ditë i humbur pa adresë, nuk kishim asnjë lloj informacioni. Jemi munduar të kontaktonim dhe kemi kontaktuar me avokatin, me rajonin e policisë aty dhe na është thënë që nuk është këtu. Ngaqë shkuan shumë ditë dhe ne nuk po komunikonim me të dhe s’patëm asnjë lloj informacioni, ai komunikonte me ne çdo ditë, që në datën 3 ai i humbi kontaktet me të. Në momentin e fundit ka folur djali më të në orën 3 pa njëçerek dhe i ka thënë kam shkuar për të firmosur detyrimin e paraqitjes dhe i ka thënë se do të marr pasi të dal. Gjysëm orë më vonë janë fikur telefonat dhe nuk kemi pasur asnjëlloj lidhje.
Cfarë i kanë thënë dajlit tjetër?
Nikoll Marnikollaj: Ne u angazhuam, sepse nuk kishte arsye mos komunikonim me të dhe dyshuam se do të kishte ndodhur diçka dhe u angazhua djali me një mikun tim. Kanë ikur bashkë, janë nisur për të avokati sepse aty ka pasur adresën dhe është takuar po atë ditë me avokatin, ka qëndruar me të dhe e ka falenderuar që je korrekt me detyrimin e paraqitjes.
Avokati nuk na ka informuar për ngjarjen. Ndoshta është shmangur për arsyet e veta dhe kemi marrë një avokat tjetër dhe ka shkuar në rajon ku është paraqitur edhe vetë Pëllumbi dhe kemi mësuar që ai nuk jeton, e kanë çuar te spitali dhe i ka thënë shkoni se e keni atje.
Pastaj kanë kanë shkuar tek spitali, nuk është gjetur aty në atë spital. Pas disa ndërhyrjesh, replikimesh edhe zëniesh është mësuar se është nisur për tek varrezat ku do të varrosej. Pastaj janë nisur kanë shkuar atje, kanë gjetur trupin e tij, duke u përgatitur për ta varrosur nga punëtorët dhe pastaj ka ndërhyrë avokati dhe është ndaluar varrimi i tij.
Pse duhej të varrosej kur kishte një adresë, një komëbësi gjithçka?
Nikoll Marnikollaj: Ai i ka pasur të gjitha, pasaportë, ka pasur çdo gjë të identifikuar dhe unë për këta kam arsye, dhe kam bindje të plotë që ai nuk është aksidentuar, por ai është dhunuar nga policia dhe ka pësuar vdekjen.
A i është bërë autopsia në Shqipëri?
Nikoll Marnikollaj: Në Shqipëri po, i kemi bërë ekspertizën mjeko-ligjore dhe presim raportin.
Do të ndiqni rrugën ligjore?
Nikoll Marnikollaj: Patjetër do ta ndjekim, sepse ne nuk i kemi pasur asnjë borxh. Kemi shkuar për të ndjekur atë detyrë që na ka vënë ai shtet dhe është krejt e qartë dhe e dukshme që janë gjërat e sakta se ajo ka ndodhur në zyrat e shtetit dhe jo në rrugë. Ata ndoshta duan ta humbin, por ne nuk mund ta lëmë ashtu. Ne do ta kërkojmë deri ku nuk shkon më. Por unë i bëj thirrje qeverisë shqiptarë, ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Drjtësisë, ambasadës shqiptare, por edhe shtetit grek që ta zbardhin të vërtetën dhe mos ta fshehin, por ta thonë si ka qenë puna dhe të vënë parapërgjegjësisë ata që shkaktuan vdekjen e tij.
Avokati e ka ditur se çfarë ka ndodhur?
Nikoll Marnikollaj: Duhet ta këtë ditur. këto gjëra janë bërë edhe fshehtasi. Por ne përderisa kemi kontaktuar dhe nuk na ka thënë gjë.