Diskutohet sot në Kuvend projektrezoluta “Mbi bazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve në Kosovë dhe në Shqipëri.”
Më 18 korrik PS deponoi në Kuvendin e Shqipërisë një propozim për një “Rezolutë” dhe tekstin e rezolutës me të cilën Shqipëria do të hedhë poshtë pretendimet për trafikim organesh.
Në propozimin për rezolutë të cilën e kanë iniciuar deputetët e PS-së Taulant Balla, Mimi Kodheli, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj, Blendi Klosi, Etjen Xhafaj, Petro Koci, Hatixhe Konomi, Bardhyl Kollcaku, Ilir Pendavinji e Arben Pëllumbi thuhet se PS beson se do të ketë “mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë” dhe se me këtë projekt rezolutë synohet në vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën.
Ndërsa në tekstin e projekt rezolutës që pritet t’i propozohet ligjvënëseve shqiptarë thuhet se hetimet e thelluara rreth pohimeve të Dick Martyt për trafikim organesh mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara prandaj theksohet se të tilla duhet të konsiderohen edhe nga ndërkombëtarët.
Në rendin e ditës gjithashtu është parashikuar interpelancë me ministren e Turizmit dhe Mjedisti, Mirela Kumbaro kërkuar nga dy deputetët demokratë, Jorida Tabaku dhe Agron Shehaj.
Në Kuvend do të prezantohet raporti vjetori i veprimtarisë së Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për vitin 2021.