Prej disa ditësh portalet qeveritare, përfshirë edhe e-Albania, janë hakeruar dhe ndodhen jashtë funksioni. Për disa shërbime qeveria riktheu sportelet fizike, por për e-Albania nuk po gjendet dot asnjë zgjidhje. Në lidhje me këtë kaos ka reaguar sërish Partia Demokratike. Në një deklaratë për mediat, sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Jola Hysa tha se të dhënat e qytetarëve ishin të rrezikuara në një situatë të tillë. Ndërsa i kërkoi qeverisë të marrë masa urgjentisht, pasi miliarda para janë paguar për shërbimet online, që në të vërtet mbetën vetëm një flluskë sapuni.
“Serveri i qeverisë vazhdon të jetë i rënë, gjë që ka paralizuar me qindra shërbime të domosdoshme, duke e kthyer Shqipërinë në epokën para internetit. Edhe tatimet dhe gjykatat janë bllokuar në disa prej funksioneve më bazike. Një ditë e vetme mjaftoi për të kuptuar se pse platforma dhe reforma qeveritare, bashkë me qindra shërbime online, për të cilat kryeministri mburrej, rezultuan një fluskë e madhe.
Partia Demokratike u bën thirrje organeve përgjegjëse të hulumtojnë mbi atë që qeveria e ka lajmëruar si hakerim. Nuk është hera e parë që të dhënat e qytetarëve derdhen rrugëve digjitale dhe bien në duar të pasigurta. Ne gjithashtu dyshojmë te profesionalizmi dhe gatishmëria e AKSHI-t për tu përballur me skenarë të tillë. Çdo orë që kalon e shton kaosin dhe mundimin e qytetarëve për të aksesuar shërbimet jetike, siç rrezikon të dhënat e secilit prej nesh”, shprehet ajo.
Ndërsa qeveria shprehet se duhet të presim deri sa ky problem të zgjidhet, por pa dhënë asnjë llogari mbi të dhënat tona që tashmë janë në rrezik.