Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka folur sot gjatë një interviste televizive për situatën në selinë blu. Ai ka diskutuar për ngërçin e brendshëm në përplasjen e grupit ku bën pjesë ai dhe Enkelejd Alibeaj me grupin e kryetarit Sali Berisha. Bardhi u shpreh se nuk ka frikë nga përbaltja siç e konsideroi ai që i bën kreu i PD, duke ju referuar edhe rastit të vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, për të cilën konstatoi se Berisha po e sulmon me argumentet e Taulant Ballës.
“Unë nuk kam asnjë frikë se them dhe bëj ato që besoj. Unë besoj se Sali Berisha nuk është zgjidhje për PD dhe nuk e bën fituese partinë. . E rëndësishme është se sido që të jetë vendimi i Gjykatës së Apelit unë them se do të respektoj çdo vendim gjykate. Nuk kam ndërmend të largohem nga PD, por nuk do bëj kapërcimin si kolegët e mi që të them se Sali Berisha është e ardhmja e PD. Do vazhdoj të them në çdo strukture të Partisë se Berisha nuk është e ardhmja e PD. Nuk e kam thënë këtë për interes të karriges, por se e besoj”, u shpreh ai.
Ndërsa për deputetët që morën pjesë në protestën e 7 korrikut, Bardhi tha se s’ka asgjë për t’i komentuar, pasi ajo ishte një protestë e thirrur kundër qeverisë.