Kryetari i PD-së, Sali Berisha, në konferencën me gazetarët ka nxjerrë një sërë akuzash për kabinetin qeveritar Rama. Ditën e sotme ai përmendi sërish këshilltaren e ministres Balluku që ka rritur vlerën e kompanisë së tij me 600 herë duke e shitur dhe blerë disa herë. Berisha theksoi se nëse diçka e tillë do ti ndodhte një bashkëpunëtori të tij nëse do të ishte në pushtet, ai do të shkonte menjëherë përpara ligjit. Sipas Berishës, Berberi ka fituar të gjitha tenderët për infrastrukturën edhe në shkelje të ligjit.
“Këshilltari i ministres së ndërtimeve publike më të kushtueshme në botë, i tenderëve me 99%, Belinda Balluku, një Berberi rezulton se ka rritur fitimin e kompanisë së tij, duke e shitur dhe blerë atë, në katër muaj 600 herë nen hijen e ministres. Çfarë dëshmon kjo? Kjo dëshmon se në këtë vend për shkak të sistemit korruptiv të instaluar nga Rama dhe bashkëpunëtorët e tij, për shkak të funksionimit të kësaj qeverie si një organizatë e mirëfilltë kriminale, çdo lloj imagjinate, mund të shndërrohet në realitet pasi ligje nuk ekzistojnë.
Në një kohë kur qytetarët shqiptarë blejnë naftën me çmimin që e blen gjermani, me rroga 8 herë më të larta, në një kohë kur qytetarët falë bordeve të Ramës paguajnë për djathin, vajin, qumështin, çmimet më të larta se mesatarja e BE-së, qeveritarët pasurohen jo me 1 apo 2 herë, por gjer në 600 herë. Fronti opozitar i shpëtimit të Shqipërisë, do të punojë fort edhe gjatë verës për tu përgatitur për betejën më të fuqishme ndaj këtij regjimi dhe shpëtimin e Shqipërisë prej tij. Klientela dhe qeveria janë një në vjedhjen e qytetarëve”, theksoi Berisha. Sipas kryedemokratiti, dhënia e projekteve në duart e këtyre biznesmenëve ka bërë që vendi të futet në krizë dhe në këto kushte është i nevojshëm shpëtimi urgjent i Shqipërisë nga qeveria.