Banorët e lagjes “Uznovë” në Berat i kanë dërguar një peticion 7 deputetëve të qarkut. Në peticionin e firmosur nga 32 banorë të kësaj lagjeje, ata kërkojnë takim urgjent me deputetët për t’ia parashtruar problematikat me pronat dhe për gjetjen e një zgjidhjeje ligjore.
“Zotërinj deputetë. Ju që shkoni derë më derë dhe kërkoni votën, më shumë për veten tuaj se për partinë që përfaqësoni, përse nuk i dëgjoni tani këta banorë që po ju prekin vatrat e tyre? Banorët kërkojnë zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore që keni miratuar ju. Si qëndroni indiferent ndaj këtij shqetësimi? Banorët nuk po kërkojnë lëmoshë, po kërkojnë zbatimin e ligjit,” thuhet ndër të tjera në peticionin që banorët e lagjes “Uznovë” ja kanë dërguar 7 deputetëve të qarkut.
Në datën 7 qershor,32 banorë të kësaj lagjeje kanë firmosur një tjetër peticion në emër të të gjithë banorëve dhe ja kanë dërguar Prefekturës së Qarkut Berat, Drejtorit të Përgjithshëm të ASHK-së Artan Lame dhe deputetëve të qarkut por ende nuk kanë marrë prej tyre një përgjigje.
Banorët e Uznovës pohojnë se kërkojnë ti jepet fund sorollatjeve lidhur me regjistrimin e pronave pasi kanë afro 30-vjet që dergjen dyerve të zyrave dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Banorët shprehen se, Uznova është lagje e Beratit që prej vitit 1992 por ata ende nuk kanë kryer regjistrimin e pasurive të tyre, as të truallit e as të tokave.
Banorët kërkojnë korrigjimin e gabimeve të konstatuara në Certifikatat e Pronësisë dhe korrigjimin e gabimeve në AMTP lidhur me sipërfaqet e trojeve për ndërtime masive, bashkëpronësi dhe saktësim kufiri.
Banorët deklarojnë se Uznova nuk ka mbivendosje dhe të gjitha trojet deri në vitin 1992 origjinën e kanë nga prona shtet. Ata pohojnë se, në arkivën e qarkut Berat mungojnë dokumentet e Këshillit të Bashkuar të NB (Ndërmarrjes Bujqësore që ka qenë dikur) për vitet 1990,1991 dhe 1992,të cilat janë asgjësuar në vitet e tranzicionit.