Qytetarët do të kalojnë natën para kryeministrisë në Maqedoninë e Veriut dhe për këtë gjë kanë marrë masat. Në fotot e publikuar në media, duket se qytetarët kanë shtruar darkën. Domatet, specat dhe rakia duken se janë vendosur në tryezën e improvizuar nga protestuesit të RMV.
“Maqedonia është gjithçka që kemi. Të jeni shëndosh e mirë. Të jetojë Maqedonia. Bëjmë thirrje të gjithë etniteteve t’i bashkohen protestave.”
Kjo është dita e nëntë që po organizon protesta VMRO-DPMNE-ja. Protestuesit marshuan deri te Ministria e Drejtësisë dhe përfunduan para Kuvendit.
Më 30 qershor, qeveria e Maqedonisë së Veriut pranoi një propozim të modifikuar nga presidenca franceze, pas së cilës filloi një proces konsultimi, fillimisht me qeverinë dhe partnerët e koalicionit, e më pas me presidentin, parlamentin, opozitën, si dhe me sektorin civil. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, deklaroi se propozimi i modifikuar përfshin vërejtjet dhe qëndrimet e konstruktuara qartë të palës maqedonase, parasheh një pranim të qartë dhe pa mëdyshje të gjuhës maqedonase, si dhe atë që protokolli me Bullgarinë të mos jetë pjesë e kornizës negociuese. Presidenti francez, Emmanuel Macron, presidenca e të cilit hartoi propozimin, beson se me propozimin është gjetur një zgjidhje kompromisi për të dyja palët. Propozimi francez është një dokument që duhet të çojë në heqjen e vetos 2-vjeçare të Bullgarisë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.