Në Forumin e Inteligjencës dhe Sigurisë të organizuar në Bukuresht, ka marrë pjesë kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Në aktivitetin me temë “Lufta në Ukrainë dhe ristrukturimi i Sigurisë Globale”, Mediu theksoi se Ukraina jo vetëm po mbron lirinë dhe sovranitetin e vet, por edhe vlerat dhe sigurinë evropiane.
“Çdo humbje në Ukrainë është humbje për Aleancën dhe veçanërisht për sigurinë Europiane. Ballkani është një potencial i mundshëm konflikti, e kërcënuar nga situata në Ukrainë. Nuk janë vetëm konfliktet dhe ndasitë historike por dhe penetrimi i Rusisë dhe Kinës në Ballkan, kanë kërkuar një terren që mund të shfrytëzohet për të rikthyer konfliktet. Zhvillimet ushtarake në Serbi, problemet në Bosnjë, ndarja dhe mos vazhdimi i dialogut Serbi-Kosovë, problemet etnike dhe ndarjet fetare në Malin e Zi, frenimi i zgjerimit të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë janë probleme reale jo thjeshtë të rajonit apo BE por të NATOs” – u shpreh Mediu.
Në këtë forum folën personalitete të politikës Amerikane si Ish Komandanti Suprem i NATO-s dhe më pas Këshilltari për Sigurinë i Presidentit Obama Gjenerali Jim Jones, Senatorja Baldëin, Kryeministri Rumun drejtues të Senatit dhe parlamentit Rumun, përfaqësues të Ukrainës dhe Europës. Të gjithë folësit dënuan agresionin rus dhe krimet e Rusisë në Ukrainë dhe njëkohësisht krijimin e një poli kundër SHBA dhe BE nga Rusia dhe Kina, si një pol i qeverive autoritare kundër demokracisë.