Përpara protestës që pritet të nisë në orën 19:00, janë shpërndarë fletushka me 49 arsye përse duhet të protestojnë.
Shumica e deputetëve të PD ndodhen në terren duke u marrë me mbledhjen dhe organizimin e protestuesve. Pritet që të mblidhen në seli rreth orës 18:30 të gjithë deputetët dhe më pas t’i bashkohen marshimit së bashku me kryetarin e PD-së, Sali Berisha.
Organizimi dhe grumbullimi i demokratëve në të gjithë qarkun e Beratit është bërë nga të gjitha strukturat e degëve të Partisë Demokratike në qytetet: Berat, Kuçovë, Dimal, Skrapar e Poliçan.
Protestuesit janë nisur drejt Tiranës me mjete private, ku vetëm nga dega e PD-së Berat janë nisur 120 automjete të konfirmuara nga strukturat. Në rang qarku, drejt protestës në Tiranë janë nisur rreth 1350 protestues nga Berati,350 nga Kuçova,260 nga Dimali,220 nga Poliçani dhe 120 nga Skrapari. Nga ana e degës së PD-së Berat konfirmohet se nisja drejt protestës së sotme në Tiranë u krye me mjete private (ndryshe nga herët e tjera) pasi pronarët e autobusëve janë vënë nën presion me penalitete të ndryshme deri në heqje liçense nëse do të transportonin protestues drejt tubimit të thirrur sot në Tiranë nga PD-ja.
Kryetari i degës së PD-së Berat, Shyqo Dura, duke shpjeguar mënyrën e organizimit të demokratëve drejt protestës në Tiranë, ka theksuar se përveç demokratëve dhe simpatizantëve të PD-së protestës do ti bashkohen edhe qindra qytetarë beratas që nuk kanë lidhje me partitë politike por që janë të indinjuar nga keq-qeverisja.