Në një prononcim të dhënë për “GGRecon”, ish-mbrojtësi i Çelsit, Liverpulit dhe kombëtares angleze, Glen Xhonson, i ka kërkuar bluve që të mbajnë Armando Broja në vend që të rrezikojnë të humbasin 80 milionë paund për një zëvendësues për Romelu Lukaku. 37-vjeçari nuk i ka kursyer elozhet për shqiptarin, teksa shprehet se londinezët duhet të besojnë te Broja.
“Mendoj se te Çelsi do të hezitojnë të shpenzojnë shuma marramendëse për një sulmues duke parë atë që ndodhi me Lukakun. Nëse do të varej nga unë, më mirë do ishte t’i jepej një shans Armando Brojës se sa të shpenzoja 80 milionë paund për një tjetër sulmues. Do të ishte më mirë që të gaboja me një lojtar që është në skuadër, se sa të “hidhja në kosh” të tjera para. Broja në zonë është shumë i mirë dhe ai ende mund të përmirësohet. Ka shënuar disa gola fantastik me Sauthemtonin, edhe pse është e vërtetë që Sauthempton nuk është Çelsi. Tek Çelsi ai do të kishte më shumë mundësi për të shënuar dhe është teknikisht i mirë për të realizuar më shumë gola nga sezoni i ardhshëm” – u shpreh Xhonson.